Aktorja, Adriana Matoshi, ka konfirmuar se do të jetë zyrtarisht deputete në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Matoshi e ka shpallur këtë lajm përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka falënderuar gjithë qytetarët e Kosovës, mërgatën dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë fushatës elektorale.
“Ju jam shumë mirënjohëse për të gjithë mikëpritjen e përkrahjen që ma keni dhuruar. Ju jam përjetësisht mirënjohëse që përmes vullnetit tuaj edhe njëherë do të jem pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Bashkë kemi me qenë në vështirësitë, sfidat, telashet, betejat, brengat e dertet e së ardhmes”, shkroi Adriana Matoshi në statusin e saj.
Në mesazhin e saj, ajo gjithashtu theksoi se është e gatshme të përballet me çdo vështirësi dhe sfidë për të kontribuar në punët e mira për atdheun e Kosovës dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Me qeverinë Kurti 3 që po bëhet gati, Matoshi shpreh optimizëm për të ardhmen dhe punët e mira që do të pasojnë për vendin.
“Qeveria Kurti 3 po bëhet gati, e bashkë me të edhe punët e mira për atdheun tonë të vuajtur, por të jashtëzakonshëm. Ju dua”, ka përfunduar aktorja e njohur.