Procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po shkon drejt fundit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Reporterin ka konfirmuar se procesi i rinumërimit është duke shkuar mirë dhe se në bazë të trendit aktual, pritet të përmbyllet këtë të diele.
“Po besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces dhe sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i.Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë të ditur se që nga pasditja e 13 nëntorit kur kishte filluar procesi i rinumërimit e deri më tani janë rinumëruar gjithsej 1034 vendvotime apo 73.49%.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, përkatësisht deri në orën 16;00 në QNR janë rinumëruar 65 vendvotime.
“Vetëm deri në orën 16 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1 034 apo 73.49%.Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi për Reporterin.
Procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime. /Reporteri.net