Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i është përgjigjur kandidatit të VV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pasi ky i fundit tha se “Naj kujt që punon mbrapsht edhe naj bisht sakice me ja dhanë naj herë bon…”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veliu ka ironizuar me Bulliqin teksa ka thënë se tani paska hequr plumbat dhe paska kapë në duar bishtin e sopatës, shkruan Reporteri.net.
Ai e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e tij, duke thënë se në praninë e një ish-kryeministri, Bulliqi përdor diskurs të nxitjes së vëllavrasjes.
“Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat!”, ka shkruar Veliu.
Këtë të hënë është hapur zyrtarisht fushata zgjedhore në Komunën e Podujevës për zgjedhjet për kryetar që mbahen më 29 nëntor.
Më të nisur fushata, kandidatët për kryetar të komunës kanë nisur takimet me qytetarë.
E Bulliqi bashkë me Kurtin dje kanë qëndruar në Llap.
Aty Bulliqi, në një video dëgjohet duke mbajtur një fjalim, në të cilin ndër të tjera shprehet: “Naj kujt që punon mbrapsht edhe naj bisht sakice me ja dhanë naj herë bon…”.
“Këto që po i thoni ju ne sigurisht që të gjitha nuk i dimë, i dimë disa që janë makro – më të mëdha, por jo këto individuale. Fatkeqësisht ankesa duhet me ba. Nuk mjafton veç ankesa por duhet edhe veprim. E kur i bëjnë veprimet qytetarët? Kur mbahen zgjedhjet. Naj kujt që punon mbrapsht edhe naj bisht sakice me ja dhanë naj herë bon…”, ka thënë Bulliqi
Ky është postimi i plotë i Veliut:
Bëfsh hajr Shpejtim, që i paske heqë plumbat dhe e paske rrokë bishtin e sakicës.
Të dashtun qytetarë,
Është skandaloze që një bashkëvendas i imi, i Enverit e Xhemës, në prani të një ish-Kryeministri, përdorë diskurs të nxitjes së vëllavrasjes.
Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat!
I ftoj llapjanët që masovikisht ta ndëshkojnë me votë këtë soj!