×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Veliu lajmërohet sërish dhe ia hedh topin VV-së, flet edhe në emër të Amerikës

    Reporteri
    13 Janar 2020 | 14:02

    Nënkryetari më i zëshëm i LDK-së, Agim Veliu, i ka komentuar sërish bisedimet me VV-në rreth krijimit të Qeverisë. Ai ka potencuar se LDK-ja po pret zgjidhje nga VV-ja.


    Në të dalë nga takimi me ambasadorin Kosnett, Veliu ka folur edhe në emër të Amerikës, duke thënë se interesimi i partisë së tij dhe Ambasadës Amerikane është i njëjtë, shkruan Reporteri.net.

    “Interesimi ynë dhe i Ambasadës Amerikanë është që Kosova të ketë sa më shpejt Qeveri funksionale. Ne po presim një zgjidhje nga Lëvizja Vetëvendosje – një zgjidhje që është funksionale për të dyja palët. Derisa ta marrim atë, ne jemi në pritje. Përgjegjësia është e atyre [VV-së] që të ofrojnë një zgjidhje për këtë situatë të krijuar”, ka thënë Veliu.

    Ndërkohë, ai ka komentuar edhe fjalët e Albin Kurtit, i cili tha se po presin LDK-në ta shqyrtojë ofertën. Veliu thotë se në organet e partisë nuk diskutohen oferta të veçanta por vetëm parimet qeverisëse.

    “Ofertën e Kurtit nuk e kemi shqyrtuar në organet tona sepse ofertat e veçanta ne nuk i shqyrtojmë. Ne në organet tona kemi diskutuar për parimet që duhet t’i ketë një Qeverisje. Asgjë më tepër, po presim një zgjidhje të cilën duhet ta ofrojë Vetëvendosje”, ka shtuar ai.

    Ndërkohë, vlen të theksohet se fjalët e njëjta i tha më herët edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se zgjidhja i takon VV-së.

    Ndryshe, dy partitë që po synojnë ta krijojnë Qeverinë e re, nuk janë takuar që nga dita e enjte. Tek dje Albin Kurti u lajmërua dhe shprehu gatishmëri për takime të reja./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!