Është dënuar me 5 vite burgim, agjenti i Shërbimit Sekret Serb (BIA), Aleksander Vllajiq, i cili pranoi fajësinë për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.
Për spiunazh u dënua me 5 vjet burg derisa për armëmbajtje pa leje me 6 muaj burg që iu zvendësuan me 1 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi dënues është shpallur pak kohë pasi Vllajiq është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai do të qëndrojë në paraburgim derisa të bëhet i plotfuqishëm aktgjykimi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025 nga Prokuroria Speciale, Vllajiq ka vepruar si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se ai ka incizuar fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit, si dhe ka mbledhur të dhëna për qytetarë serbë të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Më tej, ai ka zbuluar identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të cilin e njihte nga periudha kur vetë kishte qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Me rastin e arrestimit më 26 qershor 2024 në Mitrovicë, gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij, autoritetet kanë sekuestruar një armë të gjatë pneumatike të modelit “Cverna Zastava” dhe një sprej gaz-lotsjellës./Betimi për Drejtësi/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.