×
  • Lajme
  • -->
    Lajme / Reagimi

    AGK: Deklaratat e Kurtit përpjekje serioze dhe e papranueshme për ndikim qeveritar në punën e mediave

    Reporteri
    10 Maj 2025 | 20:21

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka cilësuar ‘‘për keqardhje’’ deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, lidhur me raportin e Reporterëve pa Kufij, duke thënë se Kurti s’i ka adresuar gjetjet e raportit, po i ka fajësuar mediat dhe gazetarët për renditjen në vendin e 99.

    Nga AGK është se deklarimi i Kurti ku ai ka ofruar “trajnime dhe kurse nga Qeveria për gazetarë dhe media”, është një përpjekje serioze e e papranueshme për ndikim qeveritar në punën e tyre, dhe tendencë për të vënë në pikëpyetje profesionalizimin e mediave kosovare.

    ”Kryeministri në detyrë Kurti nuk ka përmendur miratimin e ligjit anti-kushtetues për Komisionin e Pavarur të Medieve, ndikimin politik të partisë së tij në Transmetuesin Publik, RTK dhe as fushatën e vazhdueshme të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes ndaj gazetarëve dhe mediave, nga zyrtarë të partisë së tij”, thuhet mes tjerash në reagim.

    AGK-ja në fund i ka bërë thirrje Kurtit ose këdo që e formon Qeverinë e re të angazhohet në një dialog të hapur me të gjithë hisedarët, në mënyrë që të trajtohen me seriozitet gjetjet e Raportit dhe të punohet për përmirësimin e lirisë së mediave në Kosovë.

    Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, Kosova renditej më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!