×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK dënon gjuhën denigruese dhe kërcënuese të Melihate Tërmkolli ndaj gazetarit Arsim Lani

    Reporteri
    01 Dhjetor 2020 | 11:48

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e vlerëson tërësisht të papranueshme gjuhën ofenduese dhe kërcënimet nga anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Melihate Tërmkolli, në drejtim të gazetarit të Televizionit 7, Arsim Lani.


    Në reagimin e AGK’së shpjegohet se Tërmkolli gjatë ditës së djeshme përmes një mesazhi elektronik të dërguar pas emisionit ‘Frontal’ udhëhequr nga Lani, e ka quajtur atë “bërllok” dhe “i pafytyrë”, për shkak se siç e ka bërë të ditur gazetari për AGK-në, Tërmkolli nuk ishte njoftuar paraprakisht për të ftuarin tjetër në studio.

    “Krahas ofendimeve, ajo gjithashtu e ka kërcënuar gazetarin, duke i thënë se “do ta paguajë për mundin dhe ftohjen” që sipas saj, ai ia ka shkaktuar”, thuhet në kumtesë, shkruan Reporteri.net.

    Për AGK-në është shqetësuese fakti që gazetarët janë ende pre e ofendimeve të tilla nga zyrtarët politikë.

    “Gjuha e tillë denigruese e përdorur nga Tërmkolli, është tërësisht e papranueshme dhe e cenon lirinë e shprehjes dhe medieve. AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve politikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ofendimet në drejtim të tyre”, thotë reagimi.

    Gazetari Arsim Lani, të hënën, vetë përmes facebook’u ka njoftuar për mesazhin që ka pranuar nga Milehate Termkolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!