×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    AGK-ja e mirëpret aktakuzën ndaj deputetit Slavko Simiq për sulmet ndaj gazetarëve në veri

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 21:51

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)  e ka mirëpritur aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Slavko Simiq, dhe një personi tjetër me inicialet U.V., për sulmet ndaj gazetarëve më 16 qershor 2023 në Leposaviq.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është njoftuar sot për ngritjen e aktakuzës kundër dy personave për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023, në veriun e Kosovës.
    Sipas njoftimit është ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Kuvendit, Slavko Simiq dhe U.V, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Sulmi kishte ndodhur me 16 qershor 2023 në qytetin e Leposaviqit, dhe Prokuroria e ngarkon Simiqin se ‘me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat, me ç`rast vazhdon sulmi në drejtim të gazetarëve dhe mediumeve të Republikës së Kosovës, fillimisht me shok bomba, pastaj i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta si kubëza betoni tulla, ngjyra dhe gjësende tjera, si pasojë e të cilave kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë’.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    AGK thotë se do ta ndjekë nga afër procesin e gjykimit.

    “AGK-ja angazhohet që të gjitha sulmet ndaj gazetarëve në maj dhe qershor 2023, të marrin dënimet e merituara nga sistemi i drejtësisë.”, thuhet në këtë reagim.

    Sipas AGK-së, së paku 9 gazetarë dhe kameramanë kishin pësuar lëndime trupore, më së rëndi kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, gjatë sulmit të një turme të maskuar, më 16 qershor 2023, në Leposaviq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!