×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    AGK: Të papranueshme dhe të rrezikshme sulmet e Dimal Bashës ndaj mediave dhe aktivistes Flutura Kusari

    Reporteri
    27 Qershor 2024 | 14:28

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit të deputetit të VV-së, Dimal Basha, ndaj juristes së medias Flutura Kusari dhe mediave.

    AGK ka shpërndarë deklaratën e Bashës: “Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dhe asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por, ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap.”

    AGK ka thënë se ky është “një sulm i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë”.

    Basha ka etiketuar në mënyrë të veçantë, juristen e medies në ECPMF, aktivisten Flutura Kusari.

    “Ka rëndësi edhe kanihere kush fol. Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, ka thënë Basha.

    Sipas AGK=së, sulmi ndaj zonjës Kusari është sulm i papranueshëm, i rrezikshëm dhe me bazë gjinore. Akuzat e zotit Basha nga foltorja e Kuvendit e vënë në rrezik sigurinë e zonjës Kusari, dhe kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile.

    Zonja Kusari bashkë me përfaqësues të Bordit të AGK-së dhe akterë të tjerë të medies dhe shoqërisë civile kanë dhënë vërejtjet e tyre për Ligjin e KPM-së në kuadër të Forumit për Integritetin e Informacionit të NDI. Vërejtët e këtij forumi janë reflektuar edhe në Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës, që të mos e miratojë ligjin në formën aktuale, pasi që ai nuk përmbush standardet evropiane të Këshillit të Evropës. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Ambasadat e Gjermanisë dhe Italisë në Kosovë gjithashtu i kanë bërë thirrje Kuvendit që ta harmonizojë Ligjin me standardet evropiane, para miratimit të tij.”

    Në fund, AGK thotë se “gjuha e zotit Basha, fatkeqësisht, është reflektim i qëndrimeve dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër lirisë së medieve, lirisë së shprehjes dhe pluralitetitit medial në Kosovë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!