Ahmeti kritikon Qeverinë: Kur u ulën numrat i morët meritat, e kur u rritën ata, përgjegjësinë ia latë IKSHPK-së

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti ia la fajin Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, lidhur me situatën e rënduar me COVID-19.


Ahmeti ka kritikuar qasjen e Qeverisë, duke thënë se kur numrat janë të ulët, po i marrin meritat vetë, e kur janë të lartë përgjegjegjësinë po ia lënë IKSHP’së.

“Qeveria paska thënë se situata është e habitshme sepse kanë përcjell rekomandimet e IKSHP, duke aluduar përgjegjësi tek IKSHP.  Jo aq lehtë.  Kur numrat janë të ulta meritat qeveria, e kur janë të larta përgjegjësin IKSHPja, nuk bën. Pronësoni rezultatet! mirë e keq!”

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ia ka lënë fajin Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për situatën e rënduar me COVID-19 gjatë muajve të fundit.

Përmes një video që e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se kanë vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHP’së.

Ai ka deklaruar se në qershor e korrik s’kanë marrë masa, meqenëse numrat ishin tejet të ulët dhe nëse do të merrnin masa ekstreme, do të ishte mbi e tej reagim.

“Sot mund të duket sikur mund të bënim më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por gjendja atëherë ishte krejt ndryshe. Po të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i iulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë Kurti.

“Për shembull më 8 gusht nuk kishim asnjë të vdekur, më 13 gusht vetëm një të vdekur, kurse më 28 gusht, pra 15 ditë më vonë, 36 të vdekur. Rritja ishte e befasishme, e paparashikuar. Ekspertët e prisnin një valë të variantit delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë”, shtoi Kurti.