×
  • Lajme
  • Lajme

    Ahmeti propozon të shqyrtohet trajtimi me plazmën e të shëruarve nga COVID-19

    Reporteri
    19 Korrik 2020 | 15:21

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ia ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ta shqyrtojnë trajtimin e të sëmurëve rëndë nga COVID-19 me plazmën e të shëruarve, duke shtuar se në Mbretërinë e Bashkuar, 143 spitale po marrin pjesë në një provë të tillë.


    Sipas Ahmetit, testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se tek pacientët që kanë qenë të prekur nga COVID-19, ka antitrupa që e luftojnë virusin.

    “Disa prej tyre me nivele të larta të antitrupave”, ka shkruar ai në Facebook.

    Teksa e ka sqaruar metodën e trajtimit me transfuzionin e gjakut të atyre që janë shëruar tek të sëmurët rëndë, Ahmeti përpos Mbretërisë së Bashkuar e ka përmendur edhe Maqedoninë e Veriut.

    “Hiq më larg se në Maqedoni është duke u provuar ky trajtim, natyrisht deri në gjetjen e trajtimeve tjera, vakcinë apo zgjidhje farmaceutike”, shkruan ai.

    Procesi i plazmës përfshin marrjen e gjakut prej një dhuruesi, në këtë rast dikujt që është shëruar nga COVID-19, por është në përgjithësi në shëndet të mirë dhe i përmbush kriteret tjera për dhurimin e gjakut. Ky gjak më pas futet në pajisjen për nxjerrjen e plazmës. Gjaku i mbetur më pas i kthehet dhuruesit.

    Procesi zgjat 90 minuta dhe plazma e një dhuruesi të vetëm mund të përdoret për trajtimin e tre apo katër pacientëve.

    Dhuruesit duhet të ketë qenë të diagnostikuar me COVID-19 dhe duhet të presin një periudhë të caktuar kohore pasi që dalin negativë në sëmundje, për ta dhuruar plazmën. Gjatë kësaj kohe po ndërmerren edhe testime për ta matur vëllimin e antitrupave. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!