Seksioni i Shkencave Shoqërore i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës distancohet nga publikimi i fundit i AShAK dhe sqaron se ai tekst është i Mehmet Krajës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Teksti i botuar pa autor dhe në emër të Akademisë i cili u bë brum për debat të ashpër në vend, siç njofton ky Seksion i Akademisë, nuk e ka pasur pëlqimin e të gjithë anëtarëve të Akademisë para publikimit.
“1. Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!”, sqarojnë ata.
“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit të ASHAK-ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë përçarje me pasoja të rënda për vet Akademinë”.
“Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë.
Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore”, përfundon komunikata e AShAK-ut”.
Teskti i botuar pa autorë, pa burime e citate në uebsajtin zyrtar të AShAK ka zgjuar reagime të mëdha publike pas publikimit të saj, ku lëshohej në gjykime subjektive të natyrës hiç shkencore.
I vetmi që u identifikua me këtë “analizë” qe kryetar i këtij institucioni Mehmet Kraja, derisa në media u raportua se anëtarët e tjerë të kryesisë s’e kishin dhënë pëlqimin për botimin e tekstit.
Në atë tekst, tashmë edhe të konfirmuar nga vetë anëtarët e Akademisë si “tekst i Krajës” shkruhet mes tjerash se ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, luajti rol në “lojën serbe” të ndarjes së Kosovës, duke dhënë konstatime të paargumentuara e të pafaktuara, porsi një gjykim personal i autorit e jo të një punimi shkencor.
Reagimi më i madh ndaj këtij teksti erdhi nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili e quajti “pamflet politik” dhe “anti-shqiptar” derisa kërkoi që pjesëtarët e Akademisë të cilët s’kanë marrë pjesë në këtë shkrim të deklaroheshin duke u distancuar nga përmbajtja e saj.
Mehmet Kraja, në anën tjetër, të enjten përmes një reagimi në Facebook insistoi që ai është analizë e Akademisë si tërësi e jo personale e tij derisa shtoi se portalet mediatike po bëjnë fushatë kundër tij./Reporteri.net/