Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut në një reagim për media ka hedhur poshtë spekulimet rreth shkakut të aksidentit në rrugë Bllacë-Shkup, ku mbetën të vdekur tre kosovarë.

“MBP hedh poshtë të pavërtetat dhe spekulimet e publikuara në një pjesë të mediave lidhur me aksidentin rrugor në autostradën PKK Bllacë–Shkup, në të cilin humbën jetën tre persona, sipas të cilave pretendohet se viktimat janë ndjekur nga një automjet tjetër që është paraqitur rrejshëm si polici dhe se një dukuri e tillë është vërejtur edhe më parë”, thuhet në reagimin e tyre.

MPB maqedonase thotë se organet hetimore po punojnë për të zbardhur shkakun që ka çuar te aksidenti tragjik.

Reklamë

“Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën “polici e rreme”. Organet hetimore do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”, përfundon reagimi.

Tre kosovarët nga Vushtrria humbën jetën pasi vetura me të cilën po udhëtonin, doli nga rruga dhe u gjet e përmbysur në aksin mes pikëkalimit kufitar Bllacë dhe Shkupit, pranë kufirit me Kosovën.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se automjeti, një “Mercedes” me targa gjermane, u gjet mbrëmjen e 19 korrikut, rreth orës 22:35.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti tre persona pa shenja jete – një burrë dhe dy gra./Reporteri.net/

Reklamë