×
  • Lajme
  • Lajme / Hulumtimi i Gazetës Reporteri

    AKP mohon se kurdisën konkursin për pozitën e zëvendësdrejtorit të ri: Testimin e kreu MPB-ja

    Autor:Arlinda Rrmoku
    29 Maj 2024 | 14:03
    Foto ilustrim: Luan Dalipi dhe Burim Leci

    Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mohuar se konkursi për përzgjedhjen e zëvendës-drejtorit të ri ekzekutiv operativ është kurdisur për Burim Lecin, ish-bashkëpunëtorin e shefit të kabinetit të Kryeministrit Kurti, Luan Dalipi. Sipas, AKP-së, testimi ku u vlerësuan kandidatët e këtij konkursi u krye nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Edhe pak ditë kanë mbetur deri në përzgjedhjen e zëvendës-drejtorit ekzekutiv operativ në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në konkursin e shpallur për pozitën në fjalë, kanë dalë fitues dy kandidatët Burim Leci dhe Ibrahim Gjylderen. Por ajo çka e bën të dyshimtë se në këtë konkurs ka mundësi për kurdisje, është fakti se kandidati me më së shumti pikë – Burim Leci – është ish-bashkëpunëtor i Luan Dalipit, shefit të stafit në kabinetin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net tash e disa ditë është në ndjekje të kësaj teme dhe ka raportuar në vazhdimësi për mbarëvajtjen e procesit. Tek disa ditë pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net në lidhje me këtë rast, të mërkurën janë deklaruar edhe nga AKP-ja, të cilët kanë pohuar se Bordi i Drejtorëve do të vendos për këtë proces përzgjedhës në njërën nga mbledhjet e ardhshme.

    Ata kanë mohuar që në këtë konkurs të ketë kurdisje për ‘rehatimin’ e Lecit në pozitën e zëvendës-drejtorit ekzekutiv operativ.

    Nuk bëhet fjalë për kurdisje të konkursit, por për një proces të rregullt të konkursit, i cili, siç u tha më lartë, administrohet nga DMZP, ku edhe mund të interesoheni për detaje më shumë rreth këtij procesi“, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetën Online Reporteri.net.

    AKP pretendon se procesi është i rregullt sipas procedurave ligjore në fuqi, teksa kanë mohuar kategorikisht se ka mundur të ketë ndërhyrje nga ana e qeveritarëve në këtë konkurs.

    Është një proces i rregullt i konkursit sipas procedurave ligjore në fuqi, dhe nuk bëhet fjalë për rekomandime apo presione gjatë këtij procesi të hapur dhe i bazuar në rezultatet e testit me shkrim dhe intervistave sipas procedurave standarde në fuqi“, thanë nga AKP-ja për Gazetën Reporteri.net.

    Nga AKP kanë dhënë sqarime edhe për eliminimin e dy kandidatëve tjerë, Agron Berisha dhe Avni Ramadani, të cilët ishin para Burim Lecit në listën e selektuar më 1 mars, duke e lënë atë të renditur në vendin e tretë.

    Personat e lartë përmendur janë të parët në listën e aplikantëve dhe jo listën e ngushtë dhe atë vetëm për shkak se sistemi i Burimeve Njerëzore është elektronik, dhe i njëjti i gjeneron listat e kandidatëve sipas renditjes alfabetike. Përndryshe, testimin me shkrim e kanë kaluar vetëm 2 kandidatët e publikuar në sistemin e Burimeve Njerëzore, pasi që të vetmit kanë marrë mbi 50 poena, e që është mjaftueshëm për ta kaluar testin, përderisa kandidatët tjerë nuk e kanë kaluar pragun minimal të pikëve. Për më tepër, testi ka qenë i organizuar dhe i administruar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, vijon më tej përgjigja e AKP-së.

    Në pyetjen e gazetës online Reporteri.net se nëse zgjedhja e Lecit në krye të kësaj pozite në AKP përbën konflikt interesi, meqenëse i njëjti është drejtor menaxhues në IP Petrol, kompania që ka në pronësi pompat e derivateve “IP Petrol”, e që kanë në shfrytëzim një numër të pompave të derivateve që i menaxhon AKP-ja, këta të fundit thonë se trajtimin e kësaj pjese e bëjnë institucionet kompetente.

    Kandidatët e listuar i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e parapara në konkurs. Për çështje të tjera, si ajo e konfliktit potencial të interesit, janë organet kompetente që trajtojnë rastet e tilla“, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

    Dyshime për kurdisje të konkursit, bashkëpunëtori i Luan Dalipit ia mësynë numrit dy në AKP

    Ndryshe, kandidati Burim Leci ka qenë një bashkëpunëtor i afërm i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit, në MDA, kompaninë në të cilën Dalipi është një nga themeluesit e saj, në Prishtinë.

    Ai ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Zhvillimin e Qeverisjes në MDA, në të njëjtën kur biznesi drejtohej nga vetë Dalipi, para se ky i fundit, në shkurt të 2020-ës ta braktiste kompaninë e themeluar nga vetë ai për Zyrën e Kryeministrit Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të marrë sqarime nga Zyra e Kryeministrit dhe nga vetë Luan Dalipi, përmes Zyrës për Informim, nëse pushteti ka kurdisur konkursin e shpallur për pozitën zëvendës-drejtor ekzekutiv operativ në AKP, por deri më tash askush nuk ka kthyer përgjigje. Njëjtë ka vepruar edhe Burim Leci, i cili vet kishte kërkuar gjatë javës që shkoi që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, pasi në telefon tha se ndodhej në Maqedoni, dhe ndërpreu linjën.

    @reporterimedia 🚨Dyshime për kurdisje të konkursit, bashkëpunëtori i Luan Dalipit ia mësynë numrit dy në AKP #qeveriakurti #vv #lajme #albinkurti #politika #shqip #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #perty #lajmeshqip #prishtina #kosova #kosovatiktok #tiktokkosova #reporteri #viral #fyp #opozita #pdk #ldk #lvv #psd #aak #kosova🇽🇰 ♬ original sound – Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!