Përveç aksidentit me fatalitet që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku vdiqën tre persona e u lënduan pesë, katër prej tyre policë, një aksident tjetër ka ndodhur në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt.
Në këtë aksident janë lënduar katër persona, të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës.
Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Vesseli për Reporteri.net.
“Me datën 26.01.2025, rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes”.
“Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës, por më pas janë liruar”.
“Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit”, ka thënë Veseli për Reporteri.net.