×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksioni me 10 të arrestuar në Shtërpcë që çoi në përplasje të ashpra mes ekzekutivit e Prokurorit të Shtetit

    Reporteri
    22 Dhjetor 2021 | 7:37

    10 persona janë arrestuar në aksionin djeshëm të Policisë së Kosovës në Komunën e Shtërpcës, për shkak të ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar në zonën e Brezovicës. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit dhe disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave.

    Ata janë arrestuar për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në konferencë për media u tha se nga ky aksion janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si: dollarë, franga zvicërane, lekë etj. Përveç kësaj në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri, telefona.

    Kryeprokurori Jashari tha se gjatë aksionit janë bastisur 11 lokacione, në Ferizaj, Prishtinë dhe Shtërpcë.

    “Janë sekusetruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të kuvendit komunal të Shtërpcës si ajo e katastrës dhe urnbanizmit. Janë ndaluar ish -kryetari i komunës së Shtëprcës, drejtori I gjeodezisë dhe urbanizimit, inspektorë komunal pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për kepqërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënië të ryshfetit”, tha Jashari.

    Ndërsa, prokurori Rasim Maloku tha se në këtë çështje askush s’do të jetë i paprekshëm.

    “Hetimet në vitin 2019, është ngritë një aktakuzë ndaj 10 personave, në vitin 2020 kemi filluar hetim të ri ndaj 10 personave, tani kemi zgjedhur hetimin edhe ndaj personave tjerë nën dyshimin për korrupsion, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi etj. Në këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur”, tha ai.

    Për këtë aksion ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm, por shkelësit e ligjit, shkruan Reporteri.net.

    “Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

    I menjëhershëm ishte reagimi i Prokurorit të Shtetit që akuzoi Sveçlën se po i jep ngjyrim politik këtij aksioni.

    “Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik. Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”, thuhej ndër të tjera në reagimin e Prokurorisë së Shtetit.

    Sveçlës në krah i doli kolegia ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Haxhiu tha se deklarata e Prokurorisë së Shtetit është e ngjashme me atë të zyrtarëve të shtetit të Serbisë.

    “E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt Ministrit Xhelal Sveçla sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, shkroi ajo ndër të tjera në një status në Facebook.

    Ndryshe, siç raportoi dje Gazeta Online Reporteri.net, në mesin e të arrestuarve në aksionin e Shtërpcës është edhe ish kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

    Kjo nuk është hera e parë kur Nikoliq u përballë me akuza të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Me 29 dhjetor të 2015, asokohe kryetar i Shtërpcës, Nikoliq dhe zyrtari komunal i prokurimit, Agim Rexhepi, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!