Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit G.S., për veprën penale “shpëlarje e parasë”, sipas nenit 56, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas aktakuzës, G.S. akuzohet se gjatë periudhës 2019–2023, duke qenë i vetëdijshëm se shuma prej 898,937.84 euro buron nga veprimtaria kriminale, e ka pranuar dhe menaxhuar këtë pasuri me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, disponimit, lëvizjes apo pronësisë së saj. Kjo, thuhet, është bërë përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik “G.S. I.S.”, pasi Prokuroria Speciale dyshon se biznesi është themeluar dhe përdorur nga i pandehuri me qëllim të qarkullimit të mjeteve dhe maskimit të produkteve të aktivitetit kriminal.
Prona që është objekt i aktakuzës, përfshirë pesë parcela tokësore me vlerë rreth 355,800 euro, është sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Gjithashtu, është propozuar konfiskimi i kësaj prone pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj personit juridik të shqiptohet dënim me gjobë dhe sanksion penal “Pushimi i personit juridik”, ndërsa ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë”, për llojin dhe veprimtarinë që ka ushtruar si person përgjegjës i personit juridik të përmendur.
/Reporteri.net/