Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “Nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” ndaj ish-ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, Ivan Teodosijeviq.
Ish-Ministri i Qeverisë Haradinaj, në prill të këtij viti në një deklarim publik, masakrën e Reçakut e kishte cilësuar si një “trillim të shqiptarëve”, ndërsa, shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të Kosovës i quajti “terroristë”.
Ai pak ditë nga kjo deklaratë ishte shkarkuar nga kryeministri i vendit, dhe Prokuroria e Shtetit kishte iniciuar hetim, që sot bëhet e ditur se është konkretizuar me aktakuzë, shkruan Reporteri.net.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit I.T., pasi që në cilësinë e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, arsyeton prokuroria aktakuzën.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë Speciale ish-ministri Ivan Teodosijeviq, ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nga neni 147, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /Reporteri.net/.