×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuzë për rrahjen dhe tentim-vrasjen në Suharekë që ndodhi para katër jave

    Reporteri
    31 Korrik 2019 | 16:28

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave për një rast rrahje që kishte rezultuar edhe me tentim vrasje me armë zjarri, e ngjarë para katër javë në Suharekë.


    “Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve: M.G., Sh.G., A.G., A.G., E.M., dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale dhe atë: M.G., veprat “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të akuzuarit Sh.G. dhe A.G., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndërsa të akuzuarit, Sh.G., A.G., A.G., E.M., dhe A.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 1 i KPRK-së”, njofton Prokuroria e Shtetit.
    Tutje, aty tregohet edhe se si kishte ndodhur ngjarja.

    “Sipas aktakuzës, i akuzuari M.G., me datë 04.07.2019 në Suharekë, në oborrin e pompës së derivateve të naftës ,,Ard com oil” pas një mosmarrëveshje paraprake që ka pasur i akuzuari E.M., me vëllezërit e të akuzuarit, Sh.G., dhe A.G., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Sh.M., në atë mënyrë që e lë takimin në oborrin e pompës së derivateve ,,Ard com oil” lidhur me mosmarrëveshjen e ndodhur disa orë më heret. Dhe, pas takimit dhe zhvillimit të një bisede të shkurtër fillon një rrahje e të akuzuarit M.G., së bashku me vëllezërit e tij Sh.G., A.G., dhe A.G., me E.M., dhe A.M., dhe të dëmtuarin Sh.M. Kështu, i pandehuri M.G., i cili në brez e kishte pistoletën e markës M 57 e kalibrit 7.62 mm e nxjerr dhe me të shtënë në drejtim të të dëmtuarit Sh.M., ashtu që e qëllon duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe plagë nga arma e zjarrit”, thotë kumtesa.

    Sipas prokurorisë, me këto veprime, “i akuzuari M.G., ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KRPK-së. Ndërsa, i akuzuari i dytë Sh.G., dhe i akuzuari i tretë A.G., si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, kurse, të akuzuarit Sh.G, A.G dhe A.G., si dhe E.M., dhe A.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”sipas KPRK-së”.

    Në njoftim tregohet se “I pandehuri M.G., gjendet në paraburgim, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë, si dhe të gjashtë të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!