×
  • Lajme
  • Lajme / Gjithsej 4 të akuzuar

    Aktakuzë për terrorizëm ndaj Llunes dhe Dejan Pantiqit për sulmin me granatë në zyrën e KQZ-së në veri

    Reporteri
    13 Dhjetor 2023 | 15:52

    Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj Milun Milenkoviç i njohur si “Llune”, Dejan Pantiq dhe dy serbëve tjerë, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, të dyshuar për sulmin me granatë dorë në zyrën e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në njoftimin e bërë thuhet se katër të dyshuarit me qëllim të frikësimit të qytetarëve, e për të pamundësuar zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore me qëllim destabilizimin ose shkatërrimit të strukturave politike të Republikës së Kosovës.

    Të njëjtit poashtu thuhet se kanë hedhur dy granate dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyres së KQZ-së, duke shkaktuar kështu dëme materiale, si dhe duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të këtij institucioni.

    “Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”.

    “Me këtë në bashkëkryerje të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., kanë kryer veprën penale ‘’Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

    Njëri nga të dyshuarit për të cilët është ngritur aktakuza nga Specialja është Milun Milenkoviç i njohur me nofkën “Llune”, i cili ishte arrestuar më 13 qershor 2023.

    Përveç për sulmin terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut ai dyshohet se është edhe një nga serbët që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në protestat e majit të këtij viti në veri.

    “Llune” konsiderohet koka e organizatës kriminale “Mbrojtja Civile”, ndërsa organet e rendit thanë se kanë prova të forta se ai ishte i përfshirë në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zvecan.

    Tjetri i akuzuar në këtë aktakuzë për terrorizëm është ish-polici serb i Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në vendkalimin në Jarinje.

    Pas arrestimit të Pantiq reagimet në veri të vendit ishin të shumta. Tensionet u ngritën sa që menjëherë filloi edhe barrikadimi i rrugëve të pjesës së veriut të Mitrovicës. Qëllimi ishte që Pantiq të mos lejohej të transferohej për të mbajtur masën e paraburgimit të cilit iu caktua nga Gjykata.Barrikadat qëndruan nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!