Aktivisti i Vetëvendosjes, Lirigzon Myrtaj ka kërkuar nga deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli që të kërkojë falje për deklaratat e mbrëmshme në lidhje me nënën e Ramush Haradinajt.
Myrtaj ka thënë se Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e saj për një nënë heroinë që me shumë mundi e sakrificë rriti bijtë e saj të cilët luftuan për lirinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Une si qytetar i Republikës së Kosovës, e mbi gjitha si aktivist i denjë i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoj nga znj. Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kërkoj falje publike, në rend të parë Nënës Rukë dhe familjes Haradinaj,lidhur me deklaratën e saj të mbrëmshme në një nga televizonet tona.
Nëna Rukë, pra, një Nënë heroinë që me shumë mundi e sakrificë rriti bijtë e saj, e më pas për t’ia falur Kosovës për lirinë dhe pavarësinë që sot po e gëzojmë.
Çdo Nënë e dëshmorit, invalidit, veteranit e të burgosurit politikë është Nënë e jona dhe Nënë e shenjtë që nuk zëvendësohet me asnjë çmim”, ka shkruar ai.
Ndryshe, deklarata e mbrëmshme e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli e cila teksa ka folur për qeverisjen e kaluar, duke e kritikuar ish kryeministrin Ramush Haradinaj, ia ka përmendur edhe nënën, duke thënë se Haradinaj e kishte dërguar për shërim jashtë shtetit ka ngjallur reagime të shumta. /Reporteri.net