Natasha Kandiq ka folur për Deutsche Ëelle lidhur me rrëfimet e saja për luftën në Kosovë, duke dhënë disa deklarata mjaft të fuqishme.
Kandiq ka rrëfyer për mediumin gjerman se si i kishte dalë zot një gruaje shqiptare në kohën e luftës, kur nga disa serbe nuk ishte lejuar të blinte bukë, transmeton Reporteri.net.
“Një ditë shkova për të blerë bukë në një dyqan në Prishtinë, në rend ishte një shqiptare. Dy serbe të tjera filluan të bërtisnin dhe nuk e lejuan të blejë bukë. Fillova edhe unë të bërtas kundër tyre… këto janë gjëra që nuk mund t’i harrosh. Në situata të këtilla e harron sigurinë personale, ajo më nuk është me rëndësi”, kujton aktivisja serbe.
Ndër të tjera, ajo flet edhe për të bëmat e serbëve në Kosovë, duke i përshkruar udhëtimet si të tmerrshme dhe duke shtuar se i kishte parë edhe vetë çfarë kishte ndodhur në Kosovë.
“Udhëtimet e mia në Kosovë kanë qenë të tmerrshme, sepse kam parë edhe vet se çfarë po ndodhë. Shqiptarët kanë qenë në fillim të mbyllur në shtëpitë e tyre, nuk kanë guxuar të dalin në rrugë. Kam parë kolona të gjata refugjatësh, njerëz me qese në dorë, të humbur dhe pa orientim. Kur i pyesja ku po shkoni?, ata thoshin: Policia serbe na ka urdhëruar të shkojmë në Shqipëri. Njerëzit iknin në Shqipëri, ndërkohë që askush nuk i ndihmonte, nuk kishte asnjë organizatë të huaj humanitare atje”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Kandiq është aktivistja më e zëshme serbe kundër krimeve të serbëve në Kosovë. Ajo madje e pranon shtetin e Kosovës dhe kishte qenë mysafirja e vetme serbe gjatë shpalljes së Pavarësisë./Reporteri.net