Çështja e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në Asociacionin e Komunave të Kosovës, së fundmi ka nxitur reagime.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar duke thënë se në mbledhjen e sotme të AAK-së është vërejtur një ndarje politike e kryetarëve. Kjo thotë ai u bë nga një kryetar që vjen nga radhët e VV-së.
Lladrovci ka shtuar se AAK-ja nuk mund të nënshtrohet asnjëherë.
“Nuk nënshtrohet Asociacioni i Komunave të Kosovës!
“Me majtë thmija shpi, Kola jem i man tri”, është përshkrimi më i përafërt i fillimit të mbledhjes së sotme të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Për herë të parë (në këto shtatë vjet sa jam pjesë e AKK) në mbledhje të theksohet ndarja politike e kryetarëve. Këtë e bëri me “dramacitet”, njëri kryetar komune nga partia Vv, duke bërë akuza sa pa vend, aq edhe qesharake. AKK ka dëshmuar kompetencë dhe përkushtim, duke arsyetuar plotësisht ekzistencën e vet si OJQ, në dobi të komunave, e vlerësuar lart edhe nga institucionet kredibile ndërkombëtare. Asociacioni ka qenë dhe është ndihmesë e madhe për komunat, për unifikimin e interesave, qëndrimeve dhe bashkëpunimit të komunave me nivelin qendror, njëherësh duke artikuluar interesat e komunave, duke këshilluar dhe aftësuar personelin rreth ligjeve dhe fushave respektive.
Tendenca për të nënshtruar AKK-në, nuk kalon. Kah jeni nisur o djem?”, ka shkuar Lladrovci.
Reagimi i Lladrovcit vjen pasi kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka akuzuar Asociacionin e Komunave të Kosovës, se po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit.
Rahimaj në një postim në Facebook, ka shkruar se për shtatë muaj bordi i AKK-së nuk ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës po refuzon të trajtojë kërkesën për anëtarësim të komunave në veri të vendit.
Më datë 14 shtator 2023 kuvendet komunale të Komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë miratuar kërkesën për anëtarësim në AKK, ndërsa një ditë më pas, më datë 15 shtator Kuvendi Komunal i Zeveçanit gjithashtu votoi pro anëtarësimit në AKK.
Për shtatë muaj Bordi i AKK-së nuk ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim”, ka shkruar Rahimaj.
I pari i Kamenicës, ka shtuar se në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve kanë paraqitur kërkesën që të futet në rend dite shqyrtimi i anëtarësimit të komunave të veriut të vendit, por sipas tij e njëjta fillimisht u refuzua me debat injorues dhe më pas me votë të partive të vjetra u pamundësua të futet si pikë e rendit të ditës.