Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, është betuar sot si kryetar i Gjilanit, para të pranishmëve në seancën ceremoniale ku bëhej emërimi i kryesisë së re të kuvendit të kësaj komune.
Alban Hyseni i VV-së, u zgjodh kryetar i Gjilanit në zgjedhjet lokale të balotazhit më 14 nëntor, duke mposhtur pas një sërë mandatesh, Lutfi Hazirin e LDK-së.
Kryetari i ri i Gjilanit tha gjithashtu se parimet e idealet janë ato që japin forcën dhe nderin e ardhjes në drejtimin e Gjilanit.
“Nga projekti i parë që do ndërmarrim deri tek projekti i fundit në katër vitet e ardhshme. Çdo pikëpamje do të mbetet e realizueshme e do të kthehet në realitet, sepse ne s’kemi premtuar tjera të parealizueshme. Projekti për stadiumin, zonën ekonomike, trajtimin e barabartë në shpërndarjen e subvencioneve, infrastrukturë rrugore, sistem shëndetësorë, ujë pije e kanalizime të rregulluara në bashkëpunim të ngushtë e me përkrahjen tuaj. Është koha e një gjenerate të re të lidershipit e që do të çojë përpara projektet e Gjilanit, me bashkësi e konsensus e jetësojmë dhe gjallërojmë përparimin e Gjilanit. Me qëllimin e përbashkët, me dedikimin e përgjithshëm e punojmë për të ardhmen e ngritjen e këtyre çështjeve’, shtoi tutje ai