×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti emëroi në bord të Trepçës njeriun që e shkarkoi 1 javë më herët

    Reporteri
    07 Mars 2020 | 15:22

    Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme emëroi bordin e përkohshëm të ndërmarrjes Trepça.


    Emërimi i bordit të përkohshëm të Trepçës erdhi pasi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 28 shkurtit mori vendim për shkarkimin e bordit të vjetër. Mirëpo, një nga njerëzit e emëruar sërish si pjesë e bordit nuk është emër i ri. Në fakt ai vetëm një javë më parë u shkarkua nga ky bord, për t’u emëruar sërish dje si pjesë e tij, shkruan Reporteri.net.

    Emërimi i Shyqri Sadikut ka ngjallur pakënaqësi te Sindikata e Trepçës. Ata thonë emërimi i i Sadikut si përfaqësues i punëtorëve në bordin e përkohshëm mbikëqyrës të Trepçës është bërë pa miratimin e punëtorëve, minatorëve dhe inxhinierëve të kësaj ndërmarrje.

    Në reagimin e tyre thuhet se Sadiku njëkohësisht është edhe drejtor i prodhimit në minierën e Stantërgut, çka sipas tyre paraqet konflikt interesi.

    “Ne konsiderojmë se ky vendim duhet të rishqyrtohet nga qeveria e R. Kosovës, për arsye se fillimisht kemi të bëjmë me konflikt interesi, për shkak se i njëjti (Shyqyri Sadiku) është drejtor i prodhimit në minierën e Stantërgut (pozitë ekzekutivi), si dhe ishte drejtor bordi në bordin paraprak të shkarkuar si rezultat i performancës së dobët dhe konkurseve në Trepça Sh.A”, thuhet në reagimin e tyre.

    Emërimi i Sadikut si pjesë e bordit të Trepçës ka ngjallur pakënaqësi edhe tek banorët e Shalës, të cilët madje kanë paralajmëruar edhe protesta për të hënën.

    Ndryshe, Shyqri Sadiku njihet si i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës me 28 shkurt ka shkarkuar bordin drejtues të ndërmarrjes publike Trepça me pretendimet se ishte politik dhe se ka marrë vendime që ishin në kundërshtim me interesin e ndërmarrjes publike Trepça. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!