Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka drejtuar gishtin nga LDK-ja për dështimin e negociatave për krijim të Qeverisë, pasi thotë se ia refuzuan ofertën tri pikëshe.
Sipas Kurtit, oferta përmbante dhënien e postit të presidentit, por duke ia marrë MPB-në, shkruan Reporteri.net.
E kjo Ministri ka qenë kërkesa e parë e LDK-së, për të cilën mezi arriti ta bindte VV-në e Kurtit.
Sidoqoftë, Kurti ka treguar tri pikat e marrëveshjes së propozuar nga ai, e që u refuzua nga LDK-ja.
Këto janë tri pikat e marrëveshjes:
Oferta ime e parmbrëmshme, pra e datës 23 dhjetor 2019, u refuzua dje. Ajo kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme.
Pika e parë: Dihet që VV-së si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë. LDK-së i takon nënkryetari i dytë.
Le ta bëjmë rrokadën në mes të kryeparlamentarin dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK, ndërkaq VV nënkryetarin e dytë.
Pika e dytë: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK insiston që ne patjetër të bëjmë premtimin, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Pika e tretë: Sipas kërkesës së LDK-së Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, me ç’rast Kultura dh Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ndërsa Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë.
Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakicat serbe MInistrinë për Komunitete.