×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti takohet me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi

    Reporteri
    24 Maj 2021 | 16:01

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim e Dialog, Besnik Bislimi, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, z.Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorë.


    Në takim u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.

    Kryeministri Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve. Ai tha se përderisa në të kaluarën Serbia tentonte të shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative. Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë, tha kryeministri Kurti.

    Z. Ragmi Mustafa e falënderoi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për pritjen në takim e në veçanti për fondet e ndara nga Qeveria Kurti 1, gjatë krizës së pandemisë. Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë. Kryeministri Kurti dhe z. Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!