Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria Haradinaj ishte qeveri e terpisë.
“Qeveria e fundit ishte e babëzisë, terpisë. Gjyshja ime thoshte ‘a e ka grykën e uritur, apo syrin. Grykën edhe e ngopim, po syri e pi ujin e detit’. Qeveria e fundit ishte e terpisë”, ka deklaruar ai në Rubikon të KTV-së.
Kurti ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit paszgjedhor me PDK-në duke thënë se kjo parti duhet të dalë në opozitë, “përndryshe shteti mbetet i kapur”.
“S’bëhem kryeministër me PDK-në. Bëhem me VV-në e kam dashur të jem me LDK-në. LDK-ja ka bashkëmenaxhuar, por s’e ka kapur shtetin”, ka thënë ai.
Albin Kurti tha se buxheti për gjyqësorin s’është as 5 për qind i buxhetit të shtetit.
“Ne buxhetin s’do ta çojmë në autostrada të mbyllura, do bëjmë autostrada të hapura që i lidh komunat. E s’i mbyll fshatrat”, tha ai.
Ai ka folur për koalicionin paszgjedhor me LDK-në, duke thënë se “duhet të shohim kush bëhet deputet prej LDK-së”.
Kurti ka shtuar se “ka provuar t’ua heq frikën LDK-së nga PDK-ja, por ata duan më shumë që ta luftojnë vetë këtë frikë që e kanë ndaj PDK-së”.
Për largimin e deputetëve të VV-së në drejtim të PSD-së, Kurti ka thënë se “në VV u krye krasitja, tjerët le të ruhen”.
Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se PDK-ja tashmë po flasin si opozitë.
“Ata janë bërë gati për opozitë, ata po e dinë që tashmë janë në opozitë. Sëmundja është PDK-ja, ilaçi është Vetëvendosja”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për dështimin e koalicionit LDK-VV, duke thënë se Lutfi Haziri ishte shumë i gëzuar për këtë dështim.