Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ardhja e tij në postin e kryeministrit, do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njeri, i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, dhe që politika është vullnet e vizion. Ai thekson se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti nuk do të mund të udhëheqë më me këtë proces.
“Dialogun do ta udhëheq unë, si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, meqenëse shteti ynë i pavarur është republikë parlamentare, është obligim kushtetues dhe ligjor edhe në bazë të aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese të këtij viti që unë të jem në krye të ekipit negociator, të ekipit të dialogut për raportet me Serbinë. Presidenti i Republikës së Kosovës është, po ashtu, përfaqësues i politikës së jashtme, mirëpo nuk mund të jetë më krijues i politikës së jashtme siç ka pretenduar në këto dy vitet e fundit”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
I pyetur se a do të udhëtojë bashkë me Hashim Thaçi në Bruksel nëse kërkohet, Kurti ka thënë se nuk e di nëse do të ndodhen në avionin e njëjtë ndonjëherë.
“Nuk e di nëse do të rastisim në avionin e njëjtë ndonjëherë, mirëpo në Bruksel delegacionin, ekipin tonë do ta udhëheq unë dhe presidenti i Republikës së Kosovës nuk do të jetë i përjashtuar, mirëpo nuk do të mund ta udhëheqë më”, është shprehur ai.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.