×
  • Lajme
  • Lajme

    Albulena Haxhiu: E papranueshme komunikata e Prokurorisë, reaguan ndaj Sveçlës e jo ndaj Vuçiqit e Petkoviqit

    Reporteri
    21 Dhjetor 2021 | 22:59

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës të zyrës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi lidhur me aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në Brezovicë.

    Zyra e Prokurorit të Shtetit doli me një reagim rreth deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, pasi ky i fundit i komentoi arrestimet në Shtërpcë e Ferizaj, të cilave, sipas Prokurorit të Shtetit, ministri u dha konotacion politik.

    Por Haxhiu pretendon se kjo deklaratë është e ngjashme me atë të zyrtarëve të shtetit të Serbisë.

    “E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt Ministrit Xhelal Sveçla sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviçit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të Ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme”, thotë ajo në një status në Facebook.

    Haxhiu tutje thotë se aksioni është meritë e Qeverisë, pasi ajo i ka hapur rrugë zbatimit të ligjit dhe shton se nuk ka ndërhyrje të Qeverisë në punët e prokurorisë.

    “Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës? Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan villa në Brezovicë? Kush i pengoi këto hetime? Qeveria jonë i ka hapur rrugën zbatimit të ligjit dhe e ka të drejtën e plotë legjitime që të përshëndes secilin veprim kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto nuk janë ndërhyrje. Punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar”, shkruan Haxhiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!