Anëtarja e kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kërkon që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje në mënyrë që Kuvendi i ri ta zgjedhë presidentin.
Ajo përsëritë se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet e as përkrahjen e qytetarëve.
Haxhiu, ndërsa ka komentuar deklaratën e Isa Mustafës se “Presdenti i takon PDK-së”, thotë se kreu i LDK-së e ka humbur toruan dhe sipas saj partia e tij do të marrë goditjen nga qytetarët.
“Tani më asgjë nuk ka befason nga ky person që ka humbur toruan por ky dhe partia e tij do ta marrin goditjen nga qytetarët shumë shpejtë. Transformimi që i bëri vullnetit qytetarë nuk harrohet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe Kuvendi i ri duhet të zgjedhë Presidentin e ardhshëm”, ka thënë ajo në një intervistë për Express.
E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë partner LDK-në apo PDK-në pas zgjedhjeve të reja, këto parti Haxhiu i ka quajtur të “stërvjetruara”, teksa shton se do të bashkëpunojnë me ata që i kanë qëndruar besnik qytetarëve.
“Lëvizja aktualisht gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët dhe në zgjedhjet e ardhshme do të dalim bindshëm të parët. Kjo fitore nuk do të mund të kontestohet nga askush. Qytetarët janë bindur që ata që transformuan vullnetin e tyre në zgjedhjet e tetorit 2019, janë një klub i stërvjetëruar që duhet ndëshkuar. Nuk e shohim si partnerë të ardhshëm klubin e stërvjetëruar. Do të bashkëpunojmë me ata që i kanë qëndruar besnik qytetarëve”, thotë ajo.
Tutje, Haxhiu ka folur edhe për zgjedhjet në Podujevë, ku vlerëson se zgjedhjet nuk duhet anuluar, teksa thekson se “Kosova ende ska mbajtur zgjedhje por krahasuar me vendet që kanë mbajtur zgjedhjet ne sërish i kemi punët më së keqi në menaxhim të pandemisë”.