×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada amerikane godet Qeverinë: Të shqetësuar për emërimin e njerëzve të pakualifikuar dhe të dënuar për krime lufte

    Reporteri
    14 Maj 2019 | 16:34

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar ashpër ndaj, siç thonë ata, veprimeve të Qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar dhe të dënuar për krime lufte, në pozita të larta qeveritare.


    Sipas tyre, në demokraci njerëzit e emëruar në pozita të larta duhet të kenë fytyrë etike dhe të jenë të kualifikuar, shkruan Reporteri.net.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

    Siç thonë ata, personave të dënuar duhet t’u jepet mundësia për të rindërtuar jetën e tyre, mirëpo ata theksojnë se ata po ashtu disa duhet të çkualifikohen përjetësisht nga pozitat e larta.

    “Kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, thuhet tutje aty.

    Ndryshe, ky reagim i Ambasadës vije pas emërimit të Sylejman Selimit si ambasador në Shqipëri si dhe mbajtjes së pozitave nga disa persona që kanë të ngritur aktakuzë./Reporteri.net

    Kjo është deklarata e plotë e Ambasadës Amerikane:

    DEKLARATË NGA AMBASADA E SHBA-ve NË PRISHTINË

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës.

    Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare. Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

    Natyrisht, individët duhet të kenë mundësi për të rindërtuar jetën e tyre pas këtyre shkeljeve të të kaluarës: ashtu siç ka thënë Bryan Stevenson, avokat dhe humanitar amerikan: „Secili prej nesh është më shumë se gjëja më e keqe që e kemi bërë ndonjëherë”. Por, madje edhe përderisa historia rikujton kontributet pozitive të individëve, si dhe dështimet e tyre, disa sjellje do të duhej të çkualifikonin përjetësisht një individ nga pozita zyrtare: përfshirja në krime të rënda do të duhej të ngrinte shqetësim për përshtatshmërinë e një personi që ndonjëherë të mbajë një pozitë të tillë.

    I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës. Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!