Ambasada Amerikane ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi se Qeveria Hoti është jolegjitime.
SHBA bën thirrje që të gjitha partitë politikë të respektojnë vendimin e Kushtetueses.
Po ashtu, SHBA kërkon që qytetarët duhet të kenë mundësinë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira.
“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Kosovë të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojnë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe paqësore” thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, është hapur rrugë për t’u mbajtur zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi në zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe ka urdhëruar ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmanin, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.
Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.