Ambasada e Italisë në Kosovë ka shkruar për takimin që ambasadorët e QUINT-it patën të hënën me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeveria të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike.
“Sot ambasadorët e Quintit takuan kryeministrin në detyrë Kurti. U theksuar nevoja për formimin e një qeverie të re sa më shpejt, në mënyrë që Kosova të mund të ecë përpara në prioritetet kryesore siç është avancimi drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Italisë.
Në anën tjetër, në njoftimin e ZKM-së, nuk u përmend fare që është biseduar për formimin e institucioneve të reja.
Aty u tha se temë kyçe ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare”.
“Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, thuhej në komunikatën e ZKM-së.
/Reporteri.net/