×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada e SHBA në Prishtinë: Qeveria e Kosovës është duke i vazhduar diskutimet për tubacionin e gazit

    Reporteri
    17 Shtator 2021 | 19:15

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është duke i vazhduar diskutimet për tubacionin e gazit me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.


    Këtë e ka pohuar zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Eric Brassil.

    “Nuk ka asnjë projekt në shqyrtim të lidhur me qeverinë amerikane për të sjellë gazin amerikan në Kosovë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe Korporata Financiare e Mijëvjeçarit po shqyrtojnë një projekt të propozuar si pjesë e një serie propozimesh për një kompakt të ri që do të ndihmonte Kosovën në lidhjen me një tubacion ekzistues të transmetimit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut”, është thënë në përgjigjen e zëdhënësit Brassil për Gazetën Online Reporteri.net.

    Brassil ka thënë se shuma më e madhe e financimit do të vinte nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    “Shumica e financimit, megjithatë, do të vinte nga fondet e BERZH dhe WBIF. Diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, i tha zëdhënësi Brassil të premten përmes e-maili Gazetës Online Reporteri.net.

    Lidhur me këtë projekt sot kanë folur edhe nga Qeveria e Kosovës.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rozzvanolli ka thënë se nuk mund të vendoset për gazsjellësin pa e ditur koston totale

    Rizvanolli para gazetarëve u shpreh se nuk bëhet fjalë për gazin amerikan apo të ndonjë shteti tjetër por ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës që mundëson sjelljen e gazit . Ajo tha poashtu se ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë qeveria e Kosovës për arsye se nuk dihet kosto totale e projektit

    “Sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së gazit ne kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit që është agjension zhvillimor i SHBA-ve, arsyeja është se MCC ka filluar një studimi parafizibiliteti e më pastaj edhe fizibiliteti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Një gjë që është e paqartë është që MCC nuk do të financonte tërë projektin, sepse do të kishim të bëjmë me një investim shumë më të madh nëse do të vendosim për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, tha Rizvanolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!