Në një intervistë ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka folur për temat më të rëndësishme në vend, përfshirë edhe krijimin e Qeverisë Hoti.
Ai ka thënë se ka pritshmëri të larta për qeverinë e re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, pasi sipas tij qytetarët e Kosovës duan zgjidhje të problemeve.
Tutje, sipas Kosnnet thotë se kur pyetet se si duhet zgjidhur problemet e Kosovës, ai sugjeron se Amerika i ka të gjitha përgjigjet, shkruan Reporteri.net.
“Unë mendoj se është normale dhe e shëndetshme që njerëzit të marrin pjesë në protesta paqësore – kjo është pjesë e demokracisë. Qartësisht ka shumë njerëz që e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe ka tjerë që nuk e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe që nuk kanë votuar për Vetëvendosjen p.sh. dhe që nuk kanë qenë të lumtur me mocionin e mosbesimit. Mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme të fokusohemi tani, është përgjegjësia e qeverisë Hoti për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Kosovës. Dhe këtë e kam dëgjuar nga kryeministri dhe tjerët se e kuptojnë që pritshmëritë nga qeveria janë shumë të larta dhe besoj se ka disa hapa që LVV dhe LDK i kanë marrë, e të cilat qeveria e re duhet t’i vazhdojë. Ata nuk duhet ta hedhin poshtë menjëherë atë se çfarë ka bërë qeveria e kaluar. Normalisht se do t’i zhvillojnë politikat e tyre – veçse e kanë programin e tyre – por prapëseprapë mendoj se qytetarët e Kosovës duan zgjidhjen e problemeve, duan veprime dhe nuk duan fjalë. E kjo është e vërtetë në fushën diplomatike dhe në atë të qeverisjes. Unë dua të shtoj edhe diçka rreth kësaj. Kur njerëzit si unë flasin se çfarë i duhet Kosovës, se si duhet zgjidhur problemet e Kosovës, unë nuk dua të sugjeroj se Amerika i ka të gjitha përgjigjet sepse Amerika është duke u ballafaquar me problemet e veta sociale, me problemet e veta ekonomike – ju e dini se çështja e relacioneve të racave në SHBA është shumë më e thellë. Ne kemi qenë duke luftuar me shekuj të tërë për të provuar të ndërtojmë një shoqëri me drejtësi, barazi dhe mundësi të barabarta për secilin. Prandaj nuk dua të sugjeroj se kjo është e thjeshtë, sepse nuk është. Eksperienca ime në jetë është se njerëzit zakonisht nuk mësojnë nga gabimet e tjerëve por vetëm nga të vetat, por unë shpresoj se Kosova mund ta sheh përvojën e SHBA-së dhe ta sheh rëndësinë e zgjidhjes së këtyre problemeve. Ka shumë njerëz të bardhë e të zi që realisht asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë ta njohin një person të racës tjetër, ka shqiptarë e serbë në Kosovë që në plot kuptimin e fjalës asnjëherë nuk janë takuar me komunitetin tjetër dhe unë mendoj se ky është problem i vërtetë për paqe dhe stabilitet në Kosovë, dhe shpresoj se liderët e Kosovës, duke i përfshirë ata të shoqërisë civile dhe liderët religjiozë, mund të gjejnë mënyra për t’i thyer barrierat mes komuniteteve”, ka thënë ambasadori amerikan në një intervistë për portalin Telegrafi.