×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori amerikan: Kosova ta pezullojë taksën, Serbia fushatën për çnjohje

    Reporteri
    03 Dhjetor 2019 | 15:19

    Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara jo vetëm për t’i kthyer Qeverinë e Serbisë dhe atë të Kosovës në tavolinën e negociatave, por edhe për t’i siguruar kushtet për përmbyllje të suksesshme të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ka thënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, në një intervistë për “Kohën Ditore”. Sipas tij, marrëveshja është e mundur të arrihet brenda vitit të ardhshëm.


    Gjatë viteve të kaluara, zyrtarë të Administratës amerikane kanë deklaruar që nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, atëherë SHBA-ja do ta shikonte atë marrëveshje e nuk do ta hidhnin poshtë. Kosnett mendon se njerëzit e kanë keqkuptuar këtë, duke paramenduar se kjo nënkupton që Shtetet e Bashkuara aktivisht po e shtyjnë ndonjë ndryshim të madh të kufijve.

    “Kurrë nuk ka qenë ashtu. Për më tepër, pozicioni ynë ka qenë që çfarëdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme për popujt e dy vendeve, e jo vetëm për disa politikanë”, ka thënë Kosnett.

    Ai ndër të tjera ka folur edhe për taksën ndaj mallrave serbe duke kërkuar që ajo të pezullohet dhe në anën tjetër Serbia ta ndalë fushatën kundër njohjeve.

    “Para së gjithash, më lejoni t’jua përkujtoj lexuesve tuaj se Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në negociata. Bisedimet janë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Shtetet e Bashkuara, sikurse miqtë tuaj evropianë, duan të ndihmojnë në këtë proces. Duam të ndihmojmë që të sigurohemi se palët do ta mbajnë çfarëdo premtimi që e japin. Kështu që, nuk do të hyja në hollësi të mëdha rreth gjërave hipotetike se çfarë do të ndodhë. Si diplomat profesionist, megjithatë, dëshiroj ta them se mendoj se është e rëndësishme që negociuesit të jenë të lirë të diskutojnë çdo gjë, të mos ketë parakushte para delegacioneve kur të ulen në tavolinë. Prandaj, lidhur me këtë, mendoj se është me rëndësi që Kosova ta pezullojë tarifën, si dhe është me rëndësi që Serbia ta pezullojë fushatën për çnjohjen e Kosovës, e pastaj palët mund të bisedojnë për këto çështje në tavolinën e negociatave”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!