Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, takimin në Washington e cilëson si shumë domethënës për rrugën e dialogut.
Në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ambasadori amerikan parashikon se fundi i procesit të bisedimeve do të jetë me njohje reciproke, shkruan Reporteri.net.
“SHBA nuk kanë duke ndjekur idenë e shkëmbimit te territoreve dhe nuk jemi as të sigurt nga ka ardhur kjo ide, unë mund t’ju them se askush nuk ka folur për këtë temë, por mund t’ju them juve ashtu siç ju kam thënë edhe më herët edhe siç ambasadori Grenell ju ka thënë se nuk është politikë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është diçka që administrata Trump e ka mbështetur ndonjëherë dhe këtë e kemi thënë shumë herë”, tha Kosnett.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA nuk e ka fshehur pakënaqësinë me politikat e jashtme të ndjekura nga Kurti.
“Koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ishte koalicion fragjil, njerëzit në LDK i kanë bërë vendimet e tyre se si duan të shkojnë përpara. Nuk e kemi fshehur faktin se ishim të pakënaqur me elementet e politikave të jashtme të Kurtit, ashtu siç nuk kemi fshehur se ishim të pakënaqur me elementet e politikave të jashtme të qeverisë Haradinaj”, ka thënë Kosnett.