×
  • Lajme
  • Lajme / Flet Edward Ferguson

    Ambasadori britanik: Duam formimin e Asociacionit dhe mbështesim BE-në në këtë synim

    Reporteri
    18 Dhjetor 2024 | 11:47

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, tha sot se Londra dëshiron shumë të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, përcjell Gazeta online Reporteri.net.

    Për mediumin serb “Tanjug“, ambasadori Ferguson ka thënë se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë Bashkimin Evropian në këtë drejtim.

    “Ne duam të shohim se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është formuar dhe ne vazhdojmë ta mbështesim BE-në në atë drejtim”, tha Ferguson, duke iu përgjigjur pyetjes nëse mund të presim që pikërisht kjo ftesë e Këshillit të BE-së drejtuar Prishtinës për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe do të jetë e një rëndësie vendimtare që pas 12 vitesh ai obligim nga Marrëveshja e Brukselit do të përmbushet, veçanërisht duke ditur që pas thirrjeve të shumta të zyrtarëve ndërkombëtarë, nuk është bërë.

    Ferguson theksoi se Londra do të donte të shihte miratimin e Draft Statutit të Asociacionit të propozuar nga BE-ja.

    Këshilli i çështjeve të përgjithshme i Bashkimit Evropian në takimin e ministrave të vendeve anëtare, ka miratuar të martën në Bruksel konkluzionet kushtuar procesit të zgjerimit.

    Bashkimi Evropian, përmes këtyre konkluzioneve, u ka bërë thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre, duke ua rikujtuar se ky është edhe kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

    Nga Kosova në veçanti kërkohet që të nisë pa vonesa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.

    Miratohen konkluzionet e ministrave të BE-së për zgjerimin, Kosovës i kërkohet që pa vonesa të nisë themelimin e Asociacionit

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!