Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ka përshëndetur miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Reporteri.net.
Në një postim në Twitter, Guerot thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovë ka ardhur falë masave të marra nga Qeveria.
“Pikërisht shkaku i masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Emmanuel Macron u pajtua për liberalizim të vizave verën e kaluar”, ka shkruar ambasadori francez në Twitter.
Pa një votim formal dhe pa asnjë kundërshtim, Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Ky vendim do të nënshkruhet nesër zyrtarisht në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE’së.
Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi./Reporteri.net/