×
  • Lajme
  • Lajme / Dita e Kushtetutës

    Ambasadori francez: Respektimi i vlerave të Kushtetutës, çelësi për një shtet ligjor efektiv

    Reporteri
    09 Prill 2024 | 13:56

    Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ka uruar Kosovën në Ditën e Kushtetutës.

    Ai ka thënë se respektimi i vlerave dhe i dispozitave, njashtu edhe pavarësia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është çelësi për një shtet ligjore efektiv.

    “Gëzuar Ditën e Kushtetutës Kosovë! Respektimi i vlerave dhe dispozitave të Kushtetutës, pavarësisë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e saj, është çelësi për një shtet ligjor efektiv. Në Kosovë si në çdo shtet tjetër demokratik”, ka shkruar në platformën X Guerot.

     

    Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

    Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë të madhe rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë.

    16 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj.

    Për këto vite Kushtetuta e Kosovës ishte amendamentuar disa herë. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!