Dy ambasadorë të vendeve mike, ai i Gjermanisë Christian Heldt dhe ai i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott i janë afruar Kuvendit të Kosovës, por nuk kanë shkuar në takimin mes LDK-së dhe VV-së, e që u tha se do të vinin edhe ambasadorët.
Të dy ambasadorët në fjalë janë parë të hyjnë në objektin e Zyrës së Bashkimit Evropian që është përballë Kuvendit të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Me gjasë ata janë pritur nga shefja e kësaj zyre, Natalia Apostolova e cila po ashtu u tha se do të merrte pjesë në takimin e sotëm Kurti-Mustafa, por më vonë për Reporteri.net, zyra e saj mohoi se kanë pranuar ftesë.
Pas tyre, në takim në Zyrën e BE-së ka shkuar edhe ambasadori italian, Nicola Orlando.
Takimi i radhës mes krerëve të VV-së dhe LDK-së ka nisur pak pas orës 17:00, siç ishte paraparë, në Kuvend të Kosovës. Por, në takim ndodhen vetëm liderët e partive dhe shoqëruesit e tyre, e jo ambasadorët e vendeve të QUINT’it, sic dy partitë kanë pretenduar se do të marrin pjesë.