Ambasadori gjerman: “Non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë “Non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”.


Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde ka thënë se mund të ketë dokument, por se nuk është francezo-gjerman, derisa ka shtuar se e përkrahin dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Sipas dokumentit në fjalë, në Kosovë do të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.