×
  • Lajme
  • Lajme / Kuvendi i Kosovës

    Ambasadori i Bullgarisë rikonfirmon mbështetjen dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

    Reporteri
    06 Qershor 2024 | 16:00

    Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nën drejtimin e kryetares së Komisionit, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, pritën sot në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, përcjell Reporteri.net.

    Siç njoftoi kumtesa për media nga Kuvendi, fillimisht kryetarja Hyseni falënderoi shtetin bullgar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në institucionet e BE-së, me theks të veçantë mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ajo vlerësoi se Bullgaria duhet të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe në të ardhmen, që të jetë pjesë e BE-së, Këshillit të Evropës, në NATO, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

    Ambasadori bullgar, Gudjev duke falënderuar anëtarët e Komisionit për mikpritjen theksoi se Bullgaria e ka mbështetur Kosovën edhe në të kaluarën, gjatë operacioneve të NATO-s dhe është ndër shtetet e para e cila e ka njohur pavarësinë e saj. Diplomati bullgar shtoi se shteti i ka mbështetur Kosovën edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe tani kjo mbështetje është duke vazhduar edhe në rrugëtimin euroatlantik.

    Në vijim, anëtarët e Komisionit diskutuan për proceset aktuale në vend, duke falënderuar po ashtu njëzëri shtetin bullgar për mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të japë ndaj vendit tonë, në proceset e tij zhvillimore dhe eurointegruese.

    Gjatë këtij takimi u diskutua për fusha të ndryshme të interesit reciprok, ndërkaq u theksua nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë në rrafshin parlamentar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!