×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori Kosnett i del në krahë Thaçit, thirrje Kuvendit të votojë ligjin për OJQ-të

    Reporteri
    04 Prill 2019 | 19:09

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës të votojë në favor të amendamenteve të propozuara nga presidenti Hashim Thaçi për Ligjin e OJQ-ve, shkruan Reporteri.net.

    Kosnett përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se një gjë e tillë nuk ka të bëjë me politikën, por me sigurimin e transparencës dhe parandalimit të keqpërdorimit të fondeve të donatorëve.

    Kujtojmë se presidenti Thaçi më 24 nëntor të vitit 2018 e ka kthyer në rishqyrtim ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor po të vitit të kaluar.

    Postimi në Twitter i ambasadorit Kosnett:

     

    Arsyetimi i presidentit për kthimin e ligjit për OJQ-të…

    Kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, presidenti Thaçi e ka bërë me arsyetimin se nenet 3 (1.3), 15 (2), 16 (2), 17 (2), 18 (2), 37, 38 (3.4 dhe 5.4), 41 (1, 1.2, 2 dhe 3), 47 (2) të Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, nuk janë në pajtim me Nenin 44 (1) të Kushtetutës Republikës së Kosovës, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare për lirinë e asociimit.

    Bazuar në këtë ligj të ri për organizatat joqeveritare, akti i themelimit të tyre duhet të vërtetohet edhe tek noteri dhe për personat juridikë nuk është paraparë që akti themelues të nënshkruhet edhe nga përfaqësuesi i autorizuar i personit juridik.

    Sipas Zyrës së Presidentit, praktikat e mira të regjistrimit të OJQ-së promovojnë procedura të thjeshta, të shpejta dhe pa pagesë, jo procedura të vështira.

    Po ashtu, në nenin 16 (2) të Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, parashihet që shoqata duhet të themelohet nga të paktën shtatë persona, duke kufizuar kështu edhe lirinë e asociimit dhe duke rënë në kundërshtim edhe me vlerat dhe frymën e Kushtetutës, sepse shoqatat nënkuptojnë një grup vullnetar të personave me interesa, qëllime ose aktivitete të përbashkëta.

    Praktikat e mira kërkojnë që për themelimin e shoqatës duhet të jenë të paktën 2 themelues, kurse deri më tash ato janë themeluar nga tre e më shumë persona dhe në vend që të avancohet kjo praktikë e mirë, me këtë nen krijohen vështirësi edhe për themelimin e shoqatave, për shkak të rritjes së numrit minimal të themeluesve.

    Edhe përcaktimi në nenin 17 (2) të Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, që fondacioni duhet të themelohet nga tre ose më shumë persona, e kufizon lirinë e asociimit, sepse derisa shoqatat mundësojnë bashkimin e personave, fondacionet janë formë e organizimit që karakterizohen nga fakti që nuk kanë anëtarë dhe mund të themelohen me kapital, me testament apo edhe me lënie të trashëgimisë. Në këto forma të organizimit është i parëndësishëm numri i themelueseve të fondacioneve, përderisa kjo formë e organizimit nuk ka anëtarë.

    Shpallja e Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, me përmbajtjen siç është miratuar në Kuvendin e Kosovës, sipas Zyrës së Presidentit, do të rrezikonte lirinë e asociimit të garantuar në Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në vendin tonë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!