×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori Malaj për raportet e Kurtit me Ramën: Komunikimi për çështje shtetërore ekziston dhe do të vazhdojë

    Reporteri
    15 Nëntor 2024 | 7:48

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës i konsideron të mira duke theksuar se ka një komunikim ndërshtetëror ndërmjet kryeministrave, për çështje të veçanta. Ai tha se komunikimi ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, ndërsa ka kërkuar bashkërendim në dialogun Kosovë- Serbi.

    Malaj ka përmendur se po bëhen përgatitjet për takimin e përbashkët ndërmjet dy qeverive.

    “Jo, nuk ka diçka të përcaktuar, janë ngritur disa tematika që meritojnë vëmendje të trajtohen nga dy qeveritë, pra disa shqetësim apo disa momente të rëndësishme të cilat kërkojnë marrëveshje, qoftë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Brendshëm apo Ministrinë e Bujqësisë që për të gjitha këto, ministrat nga Kosova dhe nga Shqipëria kanë diskutuar, dhe të gjitha janë në diskutim e sipër dhe padyshim që do të këtë një mbledhje të qeverive që do të nënshkruhen marrëveshje. Nuk është puna që vetëm kemi nënshkruar marrëveshje por i kemi vënë në jetë. Ju e dini fare mirë që lëvizja e lirë e shqiptarëve nga të dyja vendet është një lëvizje absolutisht e lirë që deri në nëntë muaj nuk ka asnjë kontroll nga asnjëra palë”, tha Malaj në RTK.

    I pyetur si e sheh raportin ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Malaj tha se përderisa ka një komunikim ndërshtetëror ndërmjet kryeministrave, për çështje të veçanta,  komunikimi ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë

    “Nuk është një çështje personash, është një çështje shtetërore, dhe do të thosha përderisa ka një komunikim ndërshtetëror ndërmjet kryeministrave, për çështje të veçanta, unë mendoj që komunikimi ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë. Nuk është e thënë që ata duhet të dalin në media për çdo gjë. Unë ju siguroj që unë jam njëri nga personat që e kryej këtë komunikim në raste emergjente kur është e nevojshme. Di të them se dy kryeministrat janë takuar në Tiranë, janë takuar në takime të ndryshme ndërkombëtare, kanë komunikuar, duke trajtuar shqetësimet e përbashkëta. Gjithçka është në atë nivel që për mua nuk përben asnjë shqetësim”, ka thënë ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!