Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, i është gëzuar premtimit të BIK-ut për mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
Ai ka thënë se udhëheqësit fetarë kanë ndikim në formësimin e të kuptuarit për çka është e drejtë dhe e gabuar, shkruan Reporteri.net.
Në këtë kuptim, ai e ka parë të frytshëm zotimin e BIK-ut për të dalë krah Britanisë në mbështetjen e grave të dhunuara.
“Sot, Bashkësia Islame e Kosovës, së bashku me shumicën e komuniteteve të tjera fetare të Kosovës, u zotuan të mbështesin të mbijetuarët e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Udhëheqësit fetarë ndihmojnë në formësimin e të kuptuarit tonë për çka është e drejtë dhe çka është e gabuar; duke u ngritur kundër stigmatizimit, ata dërgojnë një mesazh të fuqishëm se viktimat e dhunës seksuale nuk duhet të ndihen të turpëruar, por duhet të ndjejnë dashurinë e të tjerëve. Janë ata që i kryen aktet e tilla që e kanë turpëruar veten”, ka thënë O’Connell.
Ndër të tjera, O’Connell sfidoi burrat kosovarë, duke iu bërë thirrje qe të flasin me familjet e tyre për gratë e dhunuara.
“Fakti se të mbijetuarët ende ndjejnë stigmatizim, tregon dështimin tonë. Është mirë që shoqëria ka treguar mbështetje për të mbijetuarët. Por ne duhet ta bëjmë këtë si individë. Si burrë, kjo është sfida ime për çdo burrë tjetër në Kosovë. Kur të shkoni në shtëpi sonte, bisedoni me familjen tuaj. Tregojini familjes se nuk i dini krejt çka u ka ndodhur, por sikur të ishin të mbijetuara të dhunës seksuale, ato do ta kishin gjithmonë mbështetjen tuaj”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, për O’Connell-in, veprimi i sotëm i Kosovës, ka dhënë shembull në gjithë botën, duke thënë se shpreson që vendet e tjera ta kopjojnë Kosovën në këtë gjë.
“Me deklaratën e sotme, Kosova i ka dhënë shembull krejt botës. Shpresoj se të tjerët do ta kopjojnë shembullin e Kosovës dhe do të bashkohen me deklaratën globale në mbështetje të të mbijetuarve, në Konferencën Ndërkombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, në nëntor 2019”, përfundoi shefi i diplomacisë britanike në Kosovë.
Ndryshe, sot kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, ka dalë në përkrahje të grave të dhunuara duke thënë se askush nuk ka të drejtë “t’ua bëjë me gisht”./Reporteri.net