×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori Rohde: Kurti s’është më opozitë, ta formojë Asociacionin

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 22:14

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se presin implementim të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    “Ju i keni parë deklaratat e Gjermanisë, të vendeve të QUINT-it dhe BE-së, që ne presim të gjitha palët që të implementojnë marrëveshjet e Brukselit, që përfshijnë edhe Asociacionin. Për ne është e qartë, është pjesë e zgjidhjes, por po ashtu e kemi theksuar disa herë se asgjë nuk është dakorduar derisa çdo gjë dakordohet,” tha Rohde në Rubikon të Klan Kosovës.

    Duke folur për kundërshtimin që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë me vite Asociacionit, Rohde tha se ky subjekt është në qeveri dhe nuk është një parti opozitare, apo lëvizje.

    “Nuk është nga java e kaluar, por kur thoni të gjitha marrëveshjet e Brukselit, pra e nënkupton këtë, pra Asociacioni i Komunave Serbe është ratifikuar me sa e kuptoj në vitin 2015 nga Parlamenti i Kosovës, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Tani jeni qeveri, nuk jeni një parti opozitare ose lëvizje, është ‘pacta sunt servanda’ si shtet duhet t’i implementoni gjërat, për të cilat janë dakorduar nga vetë kuvendi i juaj dhe e dyta është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë se nuk duhet të bëhet (Asociacioni), por vetëm se duhet të modifikoni ose të shtoni disa gjëra për ta harmonizuar me kushtetutën dhe kjo nuk është punë e imja, por është punë e Qeverisë së Kosovës. Fatkeqësisht pesë qeveritë paraprake nuk e kanë implementuar këtë,” tha Rohde.

    Rohde, ndër të tjera, foli edhe për çështjen e targave.

    Ambasadori gjerman tha se kanë qenë të pakënaqur që këshilla e tyre për shtyrje të afatit për targat nuk është përfillur nga Qeveria Kurti.

    “E rëndësishme është se kishim një marrëveshje në javën e kaluar, plotësisht e pranoj se problemet nuk ishin zgjidhur, po ashtu duhet të mbani mend që edhe në verë BE-ja, kur filluan diskutimet për targat e veturave, kishte këshilluar një periudhë të gjatë recesioni, këshilla jonë nuk ishte marrë përsipër menjëherë dhe kishim ardhur deri te ajo pikë gjatë javës së kaluar dhe nuk ishim të kënaqur që këshilla jonë nuk ishte marrë parasysh, pra kjo ishte situata”.

    “Tani kemi një deeskalim dhe të dy palët bashkë me ndërmjetësuesit e BE-së mund të përqendrohen në çështje tjera, të cilat kanë për t’u diskutuar dhe që janë përmendur në marrëveshjen e javës së kaluar”, tha Rohde.

    Ambasadori Rohde, në Klan Kosova, deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë negociatat për çështjen e targave, por edhe për tema të tjera.

    “Marrëveshja e vërtetë do duhet të negociohet edhe ndërmjet dy hisedarëve. Kelmendi: Prapë në një raund tjetër të negociatave lidhur me targat e automjeteve? Po edhe për targat e automjeteve, po e keni parë marrëveshjen ku dy palët janë zotuar që të vazhdojnë, tani kemi deeskalim, plotësisht pajtohem me juve që nuk është zgjidhur, e po ashtu ndaj edhe vlerësimin tuaj, është paksa e lodhshme që gjithmonë kemi interpretime të ndryshme, do të dëshiroja që dy palët të mos humbin kohë duke bërë deklarata publike si të interpretohet diçka, por që në fakt të bisedojmë njëra me tjetrën dhe jo njëra për tjetrën” u shpreh Rohde.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!