×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadorja britanike në Serbi: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të sillte përfitime të mëdha

    Reporteri
    17 Dhjetor 2021 | 19:44

    Ambasadorja britanike në Serbi, Sian MacLeod, thekson se Britania e Madhe do të bëjë gjithçka për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ajo tha se normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e sheh si një element shumë të rëndësishëm të stabilitetit dhe prosperitetit të ardhshëm në rajon.

    Në mbështetje të përkushtimit të Britanisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës, MacLeod thekson rëndësinë e emërimit të Stuart Peachit si të dërguar special të kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.

    “Kjo është, mbi të gjitha, një shenjë e qartë e angazhimit të vazhdueshëm dhe të fortë politik të qeverisë britanike për rajonin”, tha MacLeod dhe vë në dukje se Peach, për të cilin thotë se është një figurë jashtëzakonisht e lartë dhe e respektuar, e njohur mirë për liderët e lartë anembanë rajonit dhe që do të sjellë përvojë të madhe dhe mençuri të madhe në rol, do të punojë me të dërguarin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak për të mbështetur dialogun.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së “Tanjug”-ut, se sa të sakta janë vlerësimet se Peach është emëruar në atë detyrë nën presionin e SHBA-së, MacLeod ka theksuar se vendimi për emërimin e tij ishte para së gjithash “shenjë e përkushtimit të Britanisë së Madhe”.

    “Sir Stuart do të punojë shumë ngushtë, jo vetëm me të dërguarin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe me të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak. Ky është padyshim një vendim i Britanisë së Madhe”, tha MacLeod.

    Ajo vlerësoi se emërimi i Peachit vjen në kohën e rritjes së shqetësimit ndërkombëtar dhe britanik për sigurinë në rajon, veçanërisht për stabilitetin në BeH dhe theksoi se emërimi është një hap logjik në procesin e forcimit të marrëdhënieve në rajon.

    Kur është fjala për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo ka theksuar se është një proces i udhëhequr nga BE-ja dhe se vendi i saj nuk është më pjesë e Unionit.

    “Por angazhimi ynë për të mbështetur dialogun mbetet i fortë. Ne e mbështesim atë në një sërë mënyrash, për shembull duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike për punën për gjetjen e të zhdukurve. Sir Stuart do të vazhdojë të punojë ngushtë me Lajçakun për të bërë gjithçka që mundemi për të mbështetur dialogun”, tha ambasadorja britanike, transmeton Zeri.info.

    Duke thënë se qëndrimi i Britanisë për Kosovën shpesh perceptohet si i njëanshëm, ajo theksoi se Britania e Madhe e njeh pavarësinë e Kosovës.

    “Është ndryshe nga qëndrimi i Serbisë. Është çështje e faktit politik, jo paragjykim”, potencoi ambasadorja.

    Ajo theksoi se Londra po punon shumë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe me vendet e tjera të rajonit, duke përfshirë, siç tha, bashkëpunimin përmes diplomacisë ekonomike, mbështetjen për zhvillimin e infrastrukturës, programet për mbështetjen e reformave, bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar…

    E pyetur për të komentuar faktin se publiku serb e percepton Britaninë e Madhe, me të cilën Serbia ka marrëdhënie diplomatike për më shumë se 180 vjet, si një mik, por edhe një forcë që ndikoi në ngjarje të shumta “që ishin në dëm të popullit serb” dhe ajo që përmendet se prapa ndërhyrjes së fundit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri është Britania, MacLeod hedh poshtë kategorikisht këto pretendime që thotë se u publikuan “në disa tabloidë vendas dhe në Moskë”.

    “Më vjen keq që shoh dezinformata dhe akuza krejtësisht të pabaza për Mbretërinë e Bashkuar në disa gazeta këtu në lidhje me një operacion policor kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në disa lokacione në mbarë Kosovën, gjatë të cilit u arrestuan disa persona”, tha ajo.

    Ajo thotë se krimi i organizuar është një problem serioz në të gjithë rajonin dhe me partnerët në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën, MB po punon për të luftuar krimin e organizuar dhe për të mbështetur zbatimin e ligjit.

    Ambasadorja shton se gjatë konflikteve të viteve 1990, Britania e Madhe ka qenë pjesë e forcave ndërkombëtare paqeruajtëse dhe postkonfliktuoze në rajon dhe se kanë mbështetur punën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.

    “Ne mbetemi vendosmërisht të përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës, duke besuar se përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës”, tha ajo.

    MacLeod thekson se që nga përfundimi i luftës në Kosovë kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme teknike dhe financiare për Serbinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shton se Britania është aktualisht donatori më i madh bilateral i Serbisë në fushën e digjitalizimit.

    E pyetur se si e sheh situatën aktuale në rajon, MacLeod kujton se Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss organizoi një takim së fundmi për gjashtë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe tha se ishte një mundësi për të riafirmuar angazhimet e marra nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Londrës në vitin 2018.

    Sipas saj, kjo përfshin deklaratat e përbashkëta për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, krimet e luftës dhe të zhdukurit në territorin e ish-Jugosllavisë.

    E pyetur se si Britania e Madhe e sheh rolin e Serbisë në rajon, duke marrë parasysh akuzat e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se Serbia është faktor destabilizimi, MacLeod tha se Serbia është një vend me potencial të madh.

    “Megjithë përparimin gjatë njëzet viteve të fundit, rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të vuajë nga trashëgimia e konfliktit”, tha MacLeod, duke vënë në dukje se kjo nuk është befasuese sepse, tha ajo, “plagëve u duhet kohë e gjatë për t’u shëruar”.

    Megjithatë, ajo thekson se pajtimi, stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë të domosdoshme për prosperitetin e ardhshëm.

    “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për shembull, do të sillte përfitime të mëdha për njerëzit në të gjitha komunitetet. Nga ana tjetër, retorika provokuese dhe veprimet që destabilizojnë dhe synojnë të sfidojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, rrezikojnë dëme të mëdha”, shton ajo.

    Ambasadorja britanike thotë se Serbia mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm që do të përmirësonin ndjeshëm stabilitetin rajonal.

    Si shembull, MacLeod beson se nëse Serbia do të merrte një qëndrim të prerë kundër atyre që, siç thotë ajo, me fjalë përçajnë dhe fyejnë, përdorin vuajtjet e njerëzve nga e kaluara për të provokuar intolerancë ose ata që lavdërojnë kriminelët e luftës, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm lidershipi të besueshëm në tërë rajonin dhe do të përmirësonte pozicionin ndërkombëtar të Serbisë.

    Sipas saj, krimi i organizuar dhe korrupsioni në përgjithësi dëmtojnë jetët dhe ekonomitë në të gjithë rajonin dhe tha se “Serbia ka mundësinë të luajë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv në të gjitha këto fusha”.

    E pyetur për qëndrimin e Britanisë së Madhe për nismën “Ballkani i Hapur”, për të cilin ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Nikola Selakoviq foli në Londër, MacLeod tha se mirëpresin iniciativat që mbështesin bashkëpunimin rajonal, integrimin ekonomik dhe tregjet e hapura.

    “Por është e rëndësishme që të gjitha proceset e reja të plotësojnë iniciativat ekzistuese dhe të jenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura për të gjithë Ballkanin Perëndimor në kushte të barabarta”, shtoi ambasadorja britanike në Serbi, Sian MacLeod.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!