×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadorja Haxhitasim ia dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Maltës

    Reporteri
    29 Janar 2021 | 18:56

    Ambasadorja Lendita Haxhitasim ia dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Maltës, George Vella, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës (jo-rezidente) në Republikën e Maltës.


    Gjatë audiencës së rastit, e cila u zhvillua në “Sant’Anton Palace”, në Attard, Ambasadorja Haxhitasim, në fjalën e saj ceremoniale, i shprehu Presidentit të Republikës së Maltës falënderimin për konsideratën e lartë dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Malta i ka dhënë Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot.

    Po ashtu, Ambasadorja Haxhitasim shprehu vlerësimin e saj të lartë për ndihmën e dhënë nga Malta, veçanërisht në rrugëtimin e Kosovës drejt procesit të integrimit në BE, duke theksuar angazhimin aktiv të Vendit tonë lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe përmbushjen e kritereve dhe reformave të nevojshme. Në vijim, Ambasadorja shprehu gatishmërinë e plotë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh mes dy Vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

    Presidenti Vella, pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadores Haxhitasim, e inkurajoi atë kundrejt intensfikimit të potencialit ekzistues në shkëmbimet tregtare, industrinë, kulturën dhe bashkëveprimin ekonomik. Në vijim, ai rinovoi angazhimin e Maltës për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian, ku u interesua edhe mbi reformat e ndërmarra nga Vendi ynë.

    Gjatë qëndrimit në Maltë, Ambasadorja Haxhitasim e shoqëruar nga Këshilltari Diamant Kastrati, zhvilloi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, z. Evarist Bartolo, ku u diskutua në mënyrë jashtëzakonisht miqësore një sërë iniciativash dypalëshe.

    Ambasadorja Haxhitasim, zhvilloi gjithashtu një varg takimesh të tjera edhe me përfaqësuesit e Parlamentit maltez, si ai me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme, z. Emmanuel Mallia dhe Kryetarin e Komisionit për Ceshtjet Ekonomike-Financiare, z. Jean Claude Micallef. Po ashtu, ajo zhvilloi takim edhe me Presidentin e Odës Ekonomike të Republikës së Maltës, z. David Xuereb.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!